

Këngëtarja Albërije Hadërgjonaj ka folur sërish për raportin e saj me moderatorin Ardit Gjebrea, duke rikujtuar arsyet që, sipas saj, çuan në krisjen e marrëdhënies mes tyre.
E ftuar në emisionin "Live From Tirana", artistja u ndal te karriera e saj, por komentoi edhe polemikat që pasuan pjesëmarrjen në festivalin "Kënga Magjike". Sipas Hadërgjonajt, moskualifikimi i këngës së saj në finale shkaktoi habi dhe reagimi i saj në atë periudhë solli një përplasje me organizatorin dhe moderatorin e festivalit, Ardit Gjebrea.
"U çuditën të gjithë njerëzit kur kënga ime nuk hyri në finale. E kam thënë edhe te ‘Kënga Magjike’, Arditit i ka ngelur hatri, patëm një përplasje", u shpreh këngëtarja.
Hadërgjonaj theksoi se suksesin në karrierën e saj ia atribuon talentit dhe punës së vazhdueshme ndër vite, duke shtuar se nuk e konsideron vlerësimin e askujt si përcaktues të statusit të saj si artiste.
"Mua nuk më bën artiste as Ardit Gjebrea dhe asnjë njeri në botë. Mua më ka dhënë Zoti një talent dhe kam punuar fort. Unë nuk jam servile, mua nuk më bëhet vonë për askënd në botë. Unë jam Albërije Hadërgjonaj dhe kërkoj drejtësi", deklaroi ajo.
Ardit Gjebrea nuk ka reaguar publikisht ndaj deklaratave të fundit të këngëtares.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






