

Tiranë – Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka folur për tensionet dhe debatet brenda forcës politike ku bën pjesë, duke deklaruar se në Partinë Socialiste ekziston një përplasje e brendshme dhe se, sipas tij, ka individë që synojnë ta dëmtojnë politikisht.
Në një intervistë për emisionin "Now me Erla Mëhillin", Braçe tha se publikimi i informacioneve dhe diskutimeve nga mbledhjet e Grupit Parlamentar bëhet me qëllim diskreditimin e tij dhe largimin nga roli që ka brenda grupit.
Deputeti u ndal edhe te një episod i mëparshëm, duke kujtuar se pas incidentit ku disa deputete u goditën me vezë, ai kishte kërkuar në grupin parlamentar thirrjen e policisë. Sipas Braçes, ky mesazh u publikua më pas në media dhe u interpretua në mënyrë të shtrembëruar.
Ai pretendoi se raste të tilla nuk kanë prekur vetëm atë, por edhe deputetë të tjerë të Partisë Socialiste, duke i cilësuar si pjesë e një përpjekjeje për të goditur kundërshtarët brenda partisë.
"Ka një luftë të brendshme në PS", u shpreh Braçe, duke argumentuar se rrjedhja e informacionit nga mbledhjet dhe interpretimi i tij në publik synon të dëmtojë figurën e disa anëtarëve të grupit parlamentar.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






