Transmetuar më 29-07-2026, 16:17

SHKODËR – Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Domën, në Njësinë Administrative Postribë të Shkodrës, ku një zjarr i rënë në një banesë i ka marrë jetën një 24-vjeçareje dhe dy fëmijëve të saj të mitur.

Policia bëri të ditur se zjarri shpërtheu rreth orës 13:10 në banesën në pronësi të shtetasit Blerina Çobaj.

Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe forcat zjarrfikëse, të cilat gjetën banesën të shkrumbuar.

Si pasojë e flakëve humbën jetën Blerina Çobaj, 24 vjeçe, si dhe dy fëmijët e saj, të moshës 3 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë. Trupat e viktimave u nxorën nga rrënojat e banesës pas ndërhyrjes së ekipeve të emergjencës.

Sipas informacioneve paraprake, familja jetonte në fshatin Golem dhe ishte rikthyer nga Gjermania më 15 korrik. Ditën e ngjarjes, e reja kishte shkuar së bashku me dy fëmijët në banesën e prindërve të saj në fshatin Domën për ta pastruar, kur objekti u përfshi nga flakët.

Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e rënies së zjarrit dhe për të dokumentuar plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie.

Ngjarja ka tronditur banorët e zonës dhe ka sjellë dhimbje të thellë në komunitet, ndërsa autoritetet pritet të zbardhin në vijim dinamikën e plotë të incidentit.

Njoftimi i Policisë:

Rreth orës 13:10, në fshatin Domen, Shkodër, ka rënë zjarr dhe është djegur banesa në pronësi të shtetasit B. Ç. Shërbimet e Policisë dhe punonjësit e shërbimit zjarrfikës, pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje.

Nga veprimet e para dyshohet se, si pasojë e zjarrit, kanë humbur jetën shtetasja B. Ç., 24 vjeçe, dhe dy fëmijë të mitur, përkatësisht 3 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit