

TIRANË – Çmimet e veshjeve në Shqipëri kanë tejkaluar mesataren e Bashkimit Europian, sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, duke e renditur vendin ndër tregjet më të shtrenjta të kontinentit për këtë kategori produktesh.
Sipas raportit, indeksi i çmimeve të veshjeve në Shqipëri, i llogaritur sipas fuqisë blerëse, arriti në 105.2, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian është 100. Kjo do të thotë se veshjet në tregun shqiptar rezultojnë mesatarisht 5.2% më të shtrenjta se në vendet e BE-së.
Me këtë nivel çmimesh, Shqipëria renditet mes 11 vendeve europiane me veshjet më të kushtueshme. Mbi të pozicionohen kryesisht shtete me ekonomi të zhvilluara, si Zvicra, Irlanda, Danimarka, Suedia, Finlanda dhe Norvegjia.
Të dhënat tregojnë një ndryshim të ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Rreth katër vite më parë, çmimet e veshjeve në Shqipëri ishin rreth 96.5% e mesatares së BE-së, ndërsa në vitin 2023 indeksi kishte rënë në 90.7. Më pas, tendenca u përmbys me ritme të shpejta, duke arritur në 105.2 në vitin 2025.
Kjo do të thotë se brenda një periudhe të shkurtër Shqipëria ka kaluar nga një treg relativisht i lirë për veshjet në një treg ku çmimet jo vetëm janë barazuar me ato të Bashkimit Europian, por i kanë tejkaluar.
Në rajonin e Ballkanit, Shqipëria rezulton ndër vendet me çmimet më të larta për veshjet. Ndryshe nga një dekadë më parë, kur çmimet ishin rreth gjysmës së mesatares europiane, vendi tashmë renditet si më i shtrenjti në rajon për këtë kategori.
Ekspertët e lidhin këtë zhvillim me disa faktorë, mes tyre varësinë e tregut shqiptar nga importet, rritjen e kostove të transportit dhe furnizimit pas krizave globale, si edhe shtimin e shpenzimeve të bizneseve për qira, paga dhe operim.
Gjithashtu, rritja e kërkesës për marka ndërkombëtare dhe produkte të segmentit premium ka ndikuar në rritjen e çmimeve, ndërsa ritmi i konvergjencës së çmimeve me Europën po rezulton më i shpejtë sesa ai i të ardhurave të konsumatorëve shqiptarë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






