

ITALI – Një 26-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar në Ankona të Italisë, pasi dyshohet se ka shantazhuar dhe kërcënuar për disa muaj një mik të tij, duke i marrë rreth 30 mijë euro për të mbuluar borxhet e krijuara nga lojërat e fatit.
Sipas hetimeve të autoriteteve italiane, i dyshuari e kishte detyruar viktimën, një 30-vjeçar nga Ankona, të përdorte jo vetëm kursimet personale, por edhe të merrte kredi për t’i siguruar paratë e kërkuara.
Ngjarja nisi pas një miqësie të krijuar mes dy personave në një lokal gjatë pranverës. Fillimisht, 26-vjeçari dyshohet se i ofroi mbështetje viktimës, por më pas filloi t’i kërkonte ndihmë financiare për shkak të problemeve me borxhet nga bastet online.
Sipas hetimeve, nga muaji mars deri në qershor, shqiptari dyshohet se humbi shuma të konsiderueshme në lojërat e fatit dhe nisi t’i kërkonte vazhdimisht para mikut të tij. Fillimisht, viktima i dha rreth 14 mijë euro nga kursimet e tij, ndërsa më pas u detyrua të merrte tre kredi: një prej 10 mijë eurosh dhe dy të tjera nga 2 mijë euro secila.
Hetuesit bëjnë të ditur se kërkesat për para shoqëroheshin me kërcënime. Sipas dëshmisë së viktimës, i dyshuari i kërkonte paratë duke e bindur fillimisht përmes presionit emocional, ndërsa më vonë përdorte kërcënime direkte.
Situata përfundoi pasi viktima dhe babai i tij kërkuan ndihmë nga policia. Sipas autoriteteve, 26-vjeçari shkoi pranë banesës së viktimës dhe goditi derën e hyrjes, duke shkaktuar dëmtime, ndërsa kërkonte sërish pagesën e shumës së pretenduar.
Pas mbërritjes së policisë, i riu u arrestua nga skuadra mobile e Ankonës. Ndaj tij janë ngritur akuza për tentativë zhvatjeje me rrethana rënduese, zhvatje të vazhdueshme dhe plagosje.
Viktima, i tronditur nga ngjarja, u dërgua në spital, ku mjekët i përcaktuan një periudhë rikuperimi prej 20 ditësh. Arrestimi i 26-vjeçarit u konfirmua më pas nga gjyqtari për hetimet paraprake, i cili vendosi ndaj tij masën e ndalimit të afrimit ndaj viktimës, të shoqëruar me përdorimin e byzylykut elektronik.
Sipas hetimeve, shqiptari përdorte një kartë të parapaguar për vendosjen e basteve online dhe, kur arrinte të fitonte, mbante për vete të ardhurat nga lojërat e fatit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






