

TIRANË – Ka nisur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) seanca e radhës gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe deputetes Monika Kryemadhi.
Gjatë procesit të sotëm, Meta i ka paraqitur gjykatës një kërkesë të re me shkrim për të qëndruar jashtë kafazit të xhamit gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore. Kërkesa është rrëzuar nga GJKKO, e cila argumentoi se kjo çështje ishte shqyrtuar më herët dhe për të ekziston një vendim përfundimtar.
Në seancën e kaluar, Monika Kryemadhi kërkoi shpalljen e pavlefshmërisë së disa akteve hetimore, si dhe të sekuestrimit të telefonit të saj celular. Ajo pretendon se për këtë veprim hetimor duhej të ishte marrë më parë autorizimi i Kuvendit, për shkak të statusit të saj si deputete në momentin kur është kryer sekuestrimi.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) pritet të paraqesë qëndrimin e saj zyrtar lidhur me kërkesat e paraqitura nga mbrojtja e të pandehurve.
Edhe Ilir Meta ka kërkuar shpalljen e pavlefshmërisë së disa akteve hetimore. Mbrojtja e tij ka kundërshtuar, ndër të tjera, përdorimin si provë të disa komunikimeve të marra nga telefoni i biznesmenit Kastriot Ismailaj, ku përfshihet edhe një mesazh me tekstin “nesër më duhen patjetër 200 mijë”.
Sipas pretendimit të Metës, këto komunikime nuk mund të përdoren si prova në proces, pasi nuk është provuar se ai ka qenë personi që ka dërguar mesazhin në fjalë.
Procesi gjyqësor vijon me shqyrtimin e kërkesave të palëve dhe qëndrimeve të organit të akuzës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






