

Në Shqipëri, prokuroria e Posaçme SPAK dhe Gjykata speciale, kishin kaq kohë që e kishin shpallur në kërkim Ermal Beqirin, për skandalin e AKSHI-it ku SPAK thotë se është bërë kërdia me tenderat abuzive. Por edhe pse kishin kaluar kohë që kur Beqiri 44 vjeçar ishte shpallur në kërkim, asgjë nuk dihej për vendndodhjen e tij.
Dhe u desh që Beqiri të bënte një fluturim të dyshimtë duke pilotuar një avion mbi një central bërthamor në Francë, që të zbulohej se ku jetonte i shumëkërkuari.
Çfarë ndodhi në Francë

Ermal Beqiri
Ermal Beqiri u kap duke fluturuar në mënyrë të paligjshme mbi një central bërthamor në Francë, ndaj policia po heton pistën e spiunazhit.
Avioni i vogël civil që drejtonte fluturoi nën lartësinë e lejuar mbi centralin bërthamor të Penly-t, në zonën Petit-Caux të departamentit Seine-Maritime. Hetimi hedh dyshime që ai të ketë vepruar për llogari të një personi tjetër.
Sipas informacioneve të publikuara nga gazeta franceze JDD, ngjarja ndodhi pasditen e së shtunës. Avioni po fluturonte në një lartësi prej rreth 3 700 këmbësh, afërsisht 1 200 metra, kur piloti uli papritur lartësinë në 3 500 këmbë. Kjo e vendosi avionin poshtë kufirit të lejuar për fluturimet mbi një objekt të ndjeshëm si centrali bërthamor.
Forcat Ajrore dhe Hapësinore franceze u njoftuan menjëherë dhe dërguan një mjet ajror për ta shoqëruar avionin deri në aeroportin e Albertit, në departamentin Somme. Në pistë po e prisnin shërbimet e Policisë, të cilat e arrestuan pilotin dhe e dërguan në paraburgim për t’u marrë në pyetje.
Gjatë kontrollit, policia i gjeti tre pajisje elektronike gjurmimi të prodhuara nga Apple. Këto pajisje përdoren për të përcaktuar vendndodhjen dhe për të ndjekur lëvizjet e personit ose objektit ku janë vendosur. Sipas JDD-së, ky element ka bërë që hetuesit të shqyrtojnë mundësinë se piloti mund të ketë vepruar nën presionin ose urdhrat e një personi tjetër. Kjo mbetet një pistë hetimore dhe jo një përfundim i provuar.
Beqiri është gjykuar me procedurë të përshpejtuar dhe është dënuar me një gjobë prej 7 mijë eurosh për fluturim të ndaluar mbi centralin bërthamor. Më pas ai iu dorëzua Zyrës Qendrore Franceze për Luftën Kundër Krimit të Organizuar, OCLCO. Policia e Shtetit tha sot se pritet që procedurat të vazhdojnë me ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Akuzat e SPAK në GJKKO
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar Beqirit masën e sigurimit personal "Arrest në burg", për veprat penale "Heqja e paligjshme e lirisë", "Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës", e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, "Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", "Grupi i strukturuar kriminal", "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal", si dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale".
Çfarë tha në mesnatë Policia e Shtetit
Autoritetet franceze kanë konfirmuar arrestimin, në qytetin e Amiens, Francë, të shtetasit Ermal Beqiri, 44 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Ermal Beqiri u ndalua fillimisht nga Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës, të cilat më pas ia referuan çështjen strukturave të Xhandarmërisë Franceze.
Aktualisht, ai është vendosur në paraburgim. Ditën e sotme, e mërkurë, pritet të dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t’i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar ndaj tij, në funksion të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






