

Konflikt për pronën në Pukë, arrestohen tre persona dhe procedohen dy të tjerë
Një konflikt për motive pronësie mes dy familjeve fqinje, Shkreli dhe Istrefi në fshatin Dedaj të Pukës ka përfunduar me tre persona të arrestuar dhe dy të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Policia bëri të ditur se në flagrancë janë arrestuar I. Shkreli, 67 vjeç, djali i tij F. Shkreli, 36 vjeç, si dhe G. Istrefi, 34 vjeç. Ndërkohë, materialet janë referuar në Prokurori dhe ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për P. Istrefi, 60 vjeç, dhe bashkëshorten e tij F. Istrefi, 43 vjeçe, e cila është motra e 34-vjeçarit. Të gjithë janë banues në fshatin Dedaj.
Nga hetimet paraprake dyshohet se palët janë përplasur mbrëmjen e së martës për shkak të një mosmarrëveshjeje pronësie. Gjatë konfliktit dyshohet se janë përdorur sende të forta dhe mjete të mprehta.
Si pasojë, janë plagosur I. Shkreli dhe G. Istrefi. Të dy janë dërguar në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku po marrin trajtim mjekësor dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar si prova materiale sendet dhe mjetet që dyshohet se janë përdorur gjatë përplasjes.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për vijimin e hetimeve dhe veprimet e mëtejshme ligjore.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






