

Prokurori i SPAK-ut, Adnan Xholi, ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, duke u bërë kandidati i parë që hyn në garën për drejtimin e organit qendror të akuzës.
Xholi është një prej prokurorëve me përvojë në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Gjatë karrierës së tij ka ushtruar edhe detyrën e drejtuesit të Seksionit Kundër Krimit të Organizuar në SPAK, ndërsa ka qenë i përfshirë në hetimin e disa çështjeve të rëndësishme.
Ai ka kandiduar më herët dy herë edhe për drejtimin e SPAK-ut, por në të dyja rastet nuk arriti të zgjidhej në krye të Prokurorisë së Posaçme.
Tashmë, Xholi synon postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Gara është hapur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pasi mandati shtatëvjeçar i Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë, Olsian Çela, përfundon në muajin dhjetor.
Afati për paraqitjen e kandidaturave përfundon më 1 gusht. Pas mbylljes së aplikimeve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të nisë procesin e verifikimit të kandidatëve, i cili pritet të përfundojë deri më 14 gusht.
Gjatë këtij procesi, KLP-ja do të shqyrtojë nëse kandidatët plotësojnë kriteret ligjore dhe kushtetuese. Ata do t’u nënshtrohen gjithashtu intervistave dhe vlerësimeve që lidhen me përvojën profesionale, integritetin dhe aftësitë drejtuese.
Në përfundim, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do t’i dërgojë Kuvendit emrat e tre kandidatëve më të vlerësuar. Më pas, Parlamenti do të zgjedhë Prokurorin e ri të Përgjithshëm.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






