

FRANCË – Autoritetet franceze kanë arrestuar në qytetin e Amiens shtetasin Ermal Beqiri, 44 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Policia e Shtetit bëri të ditur se arrestimi u realizua në kuadër të bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Lion, pas shkëmbimit të informacionit mes dy strukturave.
Sipas njoftimit zyrtar, ndaj Beqirit Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai dyshohet për një sërë veprash penale, përfshirë heqjen e paligjshme të lirisë, konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal, si dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
Policia shqiptare njoftoi se shtetasi E.B. u ndalua fillimisht nga Forcat Ajrore dhe të Hapësirës së Francës, të cilat më pas ia kaluan çështjen strukturave të Xhandarmërisë Franceze.
Aktualisht, Beqiri ndodhet në paraburgim në Francë. Ai pritet të dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t’i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar ndaj tij, duke nisur kështu procedurat ligjore për ekstradimin drejt Shqipërisë.
Arrestimi lidhet me hetimet e SPAK për çështjen e AKSHI-t, ku autoritetet shqiptare po zhvillojnë një proces hetimor për veprat penale të dyshuara.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






