Transmetuar më 29-07-2026, 09:18

PRISHTINË – Një aksident i rëndë në një kantier ndërtimi në Prishtinë i ka marrë jetën një punëtori 26-vjeçar, ndërsa një person tjetër ka mbetur i lënduar pas rrëzimit të një vinçi gjatë procesit të montimit.

Sipas Inspektoratit të Punës, vinçi u rrëzua teksa po montohej në kantier. Autoritetet kanë bërë të ditur se shkaku i incidentit ende nuk është përcaktuar dhe se do të kryhen ekspertizat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave.

“Në këtë fazë është ende herët të nxirret një konstatim inspektues, pasi natyra dhe rrethanat e rastit kërkojnë hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit, si dhe përgjegjësinë lidhur me zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit të Punës.

Ndërkohë, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

“Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme. Aktualisht, në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë filluar hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, njoftoi policia.

Për aksidentin ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili shprehu ngushëllimet për familjen e 26-vjeçarit dhe theksoi se siguria në vendin e punës duhet të jetë një standard i panegociueshëm.

Si pasojë e rrëzimit, vinçi u thye dhe ra mbi çatinë e një shtëpie pranë kantierit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Pronari i banesës bëri të ditur se në momentin e incidentit nuk ndodhej askush brenda, duke shmangur kështu pasoja të tjera në njerëz.

Autoritetet pritet të publikojnë rezultatet e hetimeve dhe ekspertizës teknike pas përfundimit të procedurave përkatëse.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit