Transmetuar më 29-07-2026, 08:56

JAPONI – Të paktën 13 persona kanë humbur jetën pas tërmetit të fuqishëm që goditi prefekturën Kumamoto, në jug të Japonisë, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet për gjetjen e personave të zhdukur nën rrënoja.

Lëkundjet e forta sizmike shkaktuan shembjen e disa ndërtesave dhe dëmtime të konsiderueshme në infrastrukturë. Një qendër tregtare u dëmtua rëndë, ndërsa forcat e emergjencës po punojnë për nxjerrjen e personave që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar.

Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, konfirmoi bilancin paraprak të viktimave dhe bëri të ditur se autoritetet kanë mobilizuar të gjitha strukturat shtetërore për përballimin e situatës. Sipas transmetuesit publik NHK, operacionet e shpëtimit vijojnë pa ndërprerje në zonat më të prekura nga tërmeti.

Autoritetet raportojnë se disa persona rezultojnë ende të zhdukur në një fabrikë letre, ndërsa një urë autostrade është shembur si pasojë e lëkundjeve, duke vështirësuar ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës në disa zona.

Për të mbështetur operacionet e kërkim-shpëtimit dhe shpërndarjen e ndihmave për banorët e prekur, qeveria japoneze ka angazhuar mijëra pjesëtarë të Forcave të Vetëmbrojtjes, të cilët po operojnë në prefekturën Kumamoto së bashku me ekipet e emergjencës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit