Transmetuar më 29-07-2026, 08:53

KOSOVË – Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konfirmuar shfaqjen e disa rasteve të sëmundjes Lija e Dhenve dhe Dhive (Sheep and Goat Pox) në komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtërpcë dhe Viti, duke paralajmëruar për rrezikun e përhapjes së mëtejshme të infeksionit.

Përmes një njoftimi zyrtar, AUV u ka bërë thirrje të gjithë fermerëve që mbarështojnë dele dhe dhi të rrisin vigjilencën dhe të zbatojnë me rigorozitet masat e biosigurisë për të kufizuar përhapjen e sëmundjes.

Agjencia ka kërkuar që të mos lëvizen kafshët nga fermat pa autorizimin e veterinerit zyrtar, të kufizohet hyrja e personave dhe automjeteve të paautorizuara në ambiente blegtorale, si dhe të shmanget kontakti i tufave me kafshët e fermave të tjera.

Ndër rekomandimet kryesore janë edhe pastrimi dhe dezinfektimi i rregullt i objekteve, pajisjeve dhe mjeteve të transportit, izolimi i kafshëve të sapoblera gjatë periudhës së vëzhgimit, si dhe monitorimi i përditshëm i gjendjes shëndetësore të tufave.

AUV u ka bërë thirrje fermerëve që të njoftojnë menjëherë veterinerin privat ose inspektorët veterinarë nëse konstatojnë simptoma si temperaturë të lartë, puçrra ose plagë në lëkurë, gojë, hundë apo gjinj, rrjedhje nga sytë ose hunda, mungesë oreksi, dobësi apo ngordhje të kafshëve.

Autoriteti veterinar ka theksuar gjithashtu se fermerët nuk duhet të ndërmarrin trajtime apo të lëvizin kafshët e dyshuara pa udhëzimet e autoriteteve kompetente.

Sipas AUV-së, bashkëpunimi i fermerëve është vendimtar për frenimin e përhapjes së sëmundjes dhe mbrojtjen e tufave në të gjithë territorin e Kosovës.

Agjencia sqaron se Lija e Dhenve dhe Dhive nuk transmetohet te njerëzit dhe nuk përbën rrezik për shëndetin publik, por mbetet një sëmundje me pasoja të rëndësishme ekonomike, e cila mund të shkaktojë humbje të konsiderueshme për fermerët dhe sektorin blegtoral.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit