Transmetuar më 29-07-2026, 08:49

SLLOVENI – Egnatia i ka dhënë lamtumirën fazës kualifikuese të UEFA Champions League, pasi u mposht nga Celje pas goditjeve të penalltive në ndeshjen e kthimit të raundit të dytë. Pas barazimit 3-3 në sfidën e parë në Rrogozhinë, takimi në Slloveni u mbyll 2-2 edhe pas 120 minutave lojë, ndërsa vendasit triumfuan 4-1 nga pika e bardhë.

Kampionët e Shqipërisë e nisën mirë ndeshjen dhe kaluan në avantazh në minutën e 21-të falë një autogoli të Hrkas. Megjithatë, Celje reagoi shpejt dhe barazoi në minutën e 34-t me anë të Kvesiç, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej në shifrat 1-1.

Me rezultatin e përgjithshëm në baraspeshë, kualifikimi u vendos në kohën shtesë. Në minutën e 97-të, Kvesiç realizoi nga pika e penalltisë për t’i dhënë avantazhin 2-1 skuadrës sllovene.

Egnatia nuk u dorëzua dhe në minutën e 114-të gjeti golin e barazimit me Smajlin, i cili kishte hyrë nga stoli, duke rikthyer sërish ekuilibrin dhe duke e çuar përballjen te goditjet e penalltive.

Nga pika e bardhë, fati nuk ishte në anën e kampionëve shqiptarë. Bitri dhe Ndreca gabuan në ekzekutimet e tyre, ndërsa Celje u tregua e saktë, duke fituar serinë e penalltive 4-1 dhe duke siguruar kualifikimin në raundin e tretë të Champions League.

Pavarësisht eliminimit, Egnatia zhvilloi një paraqitje dinjitoze dhe tregoi karakter deri në sekondat e fundit të sfidës. Rrugëtimi europian i skuadrës së drejtuar nga Nevil Dede nuk përfundon këtu, pasi kampionët shqiptarë do të vijojnë garën në raundin e tretë kualifikues të UEFA Europa League, ku do të përballen me kampionët e Irlandës, Shamrock Rovers.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit