Transmetuar më 29-07-2026, 07:49

Një nga ngjarjet më të rralla astronomike të dekadës do të ndodhë më 12 gusht 2026, kur një eklips i plotë diellor do të errësojë qiellin për rreth 90 sekonda, duke tërhequr rreth 500 mijë turistë drejt Spanjës dhe Portugalisë.

Fenomeni do të jetë i dukshëm në një brez rreth 300 kilometra të gjerë, që shtrihet nga Grenlanda dhe Islanda deri në Spanjë e Portugali. Në Itali, eklipsi do të shihet vetëm pjesërisht, ku Hëna do të mbulojë rreth 50% të diskut të Diellit.

Eklipsi do të zhvillohet mes orës 19:30 dhe 21:17, ndërsa faza e eklipsit të plotë do të zgjasë vetëm një minutë e gjysmë. Gjatë kësaj kohe pritet të ulen temperaturat, qielli të errësohet dhe të bëhen të dukshëm edhe yjet.

Ky është eklipsi i parë i plotë që Spanja do të përjetojë që nga viti 1905. Ndërkohë, vendi do të ketë mundësinë të vëzhgojë edhe dy eklipse të tjera të plota, më 2 gusht 2027 dhe 26 janar 2028, një rast i pazakontë për të njëjtin territor.

Autoritetet spanjolle dhe shumë bashki kanë përgatitur aktivitete të veçanta për këtë ngjarje, duke organizuar pika vëzhgimi larg ndriçimit artificial, si dhe shpërndarjen e syzeve të certifikuara për vëzhgimin e sigurt të Diellit.

Ekspertët paralajmërojnë se radiografitë, xhamat e errët, fundet e shisheve apo syzet e zakonshme të diellit nuk mbrojnë sytë nga rrezet e dëmshme. Për të shmangur dëmtimin e retinës, rekomandohet përdorimi vetëm i syzeve speciale të certifikuara për eklipset diellore.

Astronomët e konsiderojnë eklipsin e plotë diellor një nga fenomenet më spektakolare të natyrës, pasi mbivendosja pothuajse perfekte e Hënës me Diellin ndodh rrallë në të njëjtin vend, mesatarisht vetëm një herë në 375 vjet.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit