Transmetuar më 29-07-2026, 07:44

Pavarësisht rritjes së vazhdueshme të pagave në Shqipëri, fuqia reale blerëse e qytetarëve mbetet nën presion për shkak të inflacionit. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se diferenca mes pagës nominale dhe asaj reale ka arritur nivelin më të lartë të regjistruar deri më tani.

Në tremujorin e parë të vitit 2026, paga mesatare mujore bruto u regjistrua në 90,119 lekë, duke shënuar një rritje vjetore prej 9.6%. Gjatë pesë viteve të fundit, paga nominale është rritur me rreth 60%. Megjithatë, e indeksuar sipas inflacionit, paga reale rezulton 73,822 lekë, me një rritje vjetore prej vetëm 7%.

Sipas të dhënave zyrtare, hendeku mes pagës nominale dhe asaj reale ka arritur në 16,297 lekë, ose mbi 170 euro, në tremujorin e parë të vitit 2026. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kjo diferencë është zgjeruar me rreth 23%.

Ekspertët vlerësojnë se, ndonëse pagat janë rritur, ritmi i shtrenjtimit të mallrave dhe shërbimeve ka zbehur përfitimin real të punonjësve. Me fjalë të tjera, një pagë prej rreth 90 mijë lekësh sot ka të njëjtën fuqi blerëse që rreth 73,822 lekë kishin në vitin 2020.

Tendenca e zgjerimit të këtij hendeku ka nisur që në vitin 2021, kur diferenca ishte vetëm 1,224 lekë. Gjatë viteve 2022–2024, rritja e inflacionit dhe e kostos së jetesës bëri që kjo diferencë të thellohej, ndërsa kulmi u arrit në fillim të vitit 2026.

Sipas analizave ekonomike, rritja e pagave është nxitur kryesisht nga mungesa e fuqisë punëtore dhe emigracioni, më shumë sesa nga rritja e produktivitetit. Kjo ka ushtruar presion mbi konsumin dhe, në kushtet kur prodhimi vendas nuk ka ndjekur të njëjtin ritëm, ka ndikuar në mbajtjen e presioneve inflacioniste.

Ndër grupet më të prekura nga kjo situatë mbeten pensionistët, të cilët përfitojnë kryesisht indeksim të pensioneve sipas inflacionit mesatar, ndërsa përballen me rritjen e vazhdueshme të kostos së jetesës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit