

Autoritetet në Kenia kanë nisur një hetim urgjent pas zbulimit të 14 elefantëve të ngordhur në zonën përreth Parkut Kombëtar Amboseli, një nga habitatet më të rëndësishme të jetës së egër në Afrikë.
Shërbimi i Jetës së Egër të Kenias (KWS) bëri të ditur se ekspertët kanë kryer ekzaminimet e para në terren, ndërsa mostra të indeve janë dërguar në laborator për të përcaktuar shkakun e ngordhjes. Hetimet po përqendrohen në disa pista, përfshirë sëmundje të mundshme, helmim ose faktorë të tjerë mjedisorë.
Sipas autoriteteve, është hera e parë në disa dekada që regjistrohet një numër kaq i lartë elefantësh të ngordhur në këtë zonë, ku vitet e fundit rastet e gjuetisë së paligjshme janë reduktuar ndjeshëm.
KWS thekson se deri më tani nuk ka prova që të tregojnë një shkak të vetëm për vdekjen e kafshëve. Mes elefantëve të gjetur të pajetë ka individë të moshave dhe gjinive të ndryshme, duke lënë të kuptohet se fenomeni nuk ka prekur vetëm një tufë të vetme.
Zyrtari i komunikimit i KWS, Duncan Wanyama, deklaroi se kufomat u zbuluan në disa pika të ndryshme, rreth 15 deri në 30 kilometra larg kufijve të Parkut Kombëtar Amboseli.
Sipas të dhënave të organizatës Amboseli Trust for Elephants, gjatë vitit 2025 në ekosistemin Amboseli jetonin mbi 2 mijë elefantë. Autoritetet pritet të publikojnë rezultatet e analizave laboratorike në ditët në vijim, të cilat do të ndihmojnë në zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarjeje misterioze.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






