Transmetuar më 28-07-2026, 21:25

Shëngjin, Lezhë – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, inspektuan sot zbatimin e masave të sigurisë në zonën e Shëngjinit, në kuadër të sezonit turistik.

Gjatë inspektimit, Hita falënderoi punonjësit e Policisë Rrugore të Kosovës, të cilët janë në shërbim të përbashkët me kolegët e Policisë Rrugore shqiptare në zonën e Shëngjinit, në kuadër të bashkëpunimit për garantimin e sigurisë rrugore gjatë sezonit turistik.

Njëkohësisht, ai vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin e të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit, të cilat, me orë të zgjatura shërbimi dhe sakrificë të përditshme, garantojnë sigurinë e qytetarëve dhe vizitorëve në të gjithë vendin.

Drejtori i Përgjithshëm tha se siguria rrugore gjatë sezonit turistik mbetet një nga prioritetet kryesore të Policisë së Shtetit, ndaj janë intensifikuar kontrollet dhe është shtuar përdorimi i mjeteve inteligjente në të gjitha akset rrugore.

Hita u shpreh: "Vetëm gjatë fundjavës janë ndëshkuar 357 drejtues automjetesh për tejkalim të shpejtësisë, me shpejtësi të konstatuara që varionin nga 150 km/h deri në mbi 200 km/h.

U bëj apel të gjithë përdoruesve të rrugës që të respektojnë kufijtë e lejuar të shpejtësisë, sinjalistikën rrugore dhe të gjitha rregullat e qarkullimit, pasi shpejtësia mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore me pasoja fatale."

Drejtori i Përgjithshëm u ndal edhe te problematika e ndotjes akustike, duke vlerësuar punën e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë për kontrollet e vazhdueshme dhe matjet e nivelit të zhurmës me pajisje të specializuara.

Ai kërkoi nga strukturat e Policisë së Lezhës, si dhe nga të gjitha strukturat policore në vend, që të intensifikojnë kontrollet, në zbatim të ligjit dhe të udhëzimeve të dhëna, me qëllim garantimin e qetësisë publike, respektimin e normave të zhurmës dhe krijimin e kushteve sa më të mira për banorët dhe pushuesit në të gjitha zonat turistike të vendit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit