Transmetuar më 28-07-2026, 18:27

Rruga e Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është përballur me një pengesë të re, pasi Kroacia ka vendosur kushte për zgjidhjen e disa çështjeve të hapura dypalëshe para se të japë miratimin për vijimin e negociatave.

Zagrebi ka bllokuar hapjen e Kapitullit 31 të negociatave, që lidhet me politikën e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen, duke kërkuar që Podgorica të ndërmarrë hapa konkretë për gjashtë çështje të pazgjidhura mes dy vendeve.

Sipas raportimeve në mediat rajonale, Kroacia kërkon që Mali i Zi të bëjë progres deri në fund të vitit për këto çështje, përpara se të japë dritën jeshile për vazhdimin e procesit integrues.

Një nga pikat kryesore të kërkesave të Zagrebit lidhet me dëmshpërblimin për ish-të burgosurit kroatë, të cilët janë mbajtur në kampet e luftës në territorin e Malit të Zi gjatë konfliktit të viteve ’90.

Gjithashtu, Kroacia kërkon vijimin e kërkimeve për 14 personat e zhdukur gjatë Luftës së Pavarësisë së Kroacisë (1991–1995), si dhe një angazhim më të madh për ndjekjen e krimeve të luftës.

Mes çështjeve të tjera të ngritura nga Zagrebi janë:

zgjidhja e mosmarrëveshjeve për pronat e konfiskuara të familjeve kroate; përcaktimi i kufirit detar mes dy vendeve; kthimi i anijes stërvitore “Jadran”; ruajtja e pllakës përkujtimore në ish-kampin e Morinjit në Mal të Zi.

Tensionet mes dy vendeve janë shtuar veçanërisht pas vitit 2024, kur Kroacia kundërshtoi rezolutën e Parlamentit të Malit të Zi për kampin e Jasenovacit gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke e konsideruar atë si një veprim me ndikim politik nga Beogradi.

Pavarësisht pengesave politike, Mali i Zi mbetet vendi më i avancuar në procesin e integrimit europian. Në korrik 2026, Podgorica mbylli përkohësisht edhe dy kapituj të tjerë negociues, duke e çuar në 18 numrin e kapitujve të mbyllur nga 33 gjithsej.

Tani, vijimi i ritmit të negociatave do të varet edhe nga aftësia e Malit të Zi për të gjetur zgjidhje me Kroacinë për çështjet e mbetura pezull.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit