Transmetuar më 28-07-2026, 17:04

Vizitorët e Parkut Kombëtar të Butrintit mund të blejnë tashmë biletat online në mënyrë të shpejtë, të sigurt dhe të thjeshtë përmes zgjidhjes së pagesave RaiAccept.

Bashkëpunimi mes Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit dhe Raiffeisen Bank mbështet digjitalizimin e shërbimeve në një nga destinacionet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Shqipëri.

Nisma është pjesë e investimeve të vazhdueshme të Raiffeisen Bank në teknologji dhe inovacion, me synimin për të sjellë zgjidhje që mbështesin bizneset dhe institucionet, duke kontribuar në zhvillimin e ekonomisë së vendit.

Një vizitë në Parkun Kombëtar të Butrintit tashmë mund të nisë përpara mbërritjes në destinacion. Me vetëm pak klikime, vizitorët mund të blejnë biletën online përmes platformës zyrtare të parkut, duke kursyer kohë dhe duke shmangur pritjet në hyrje.

Kjo është bërë e mundur falë bashkëpunimit mes Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit dhe Raiffeisen Bank Shqipëri, e cila ka integruar RaiAccept, zgjidhjen e saj të pagesave elektronike në platformën zyrtare të parkut. Ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm në modernizimin e shërbimeve për vizitorët vendas dhe të huaj, duke dëshmuar se teknologjia mund të krijojë vlerë konkrete edhe në sektorin e trashëgimisë kulturore dhe turizmit.

Në një kohë kur turizmi po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, ofrimi i shërbimeve më të thjeshta, më të sigurta dhe sipas standardeve bashkëkohore është thelbësor për të përmirësuar përvojën e vizitorëve dhe për të promovuar pasuritë kulturore të vendit.

Përmes RaiAccept, Raiffeisen Bank Shqipëri mbështet institucionet dhe bizneset shqiptare në transformimin digjital të shërbimeve të tyre. Përtej thjeshtimit të procesit të pagesës, kjo zgjidhje rrit efikasitetin, përmirëson përvojën e përdoruesve dhe ndihmon institucionet të ofrojnë shërbime më moderne dhe më pranë nevojave të qytetarëve dhe vizitorëve.

"Jemi të lumtur që përmes RaiAccept po kontribuojmë në përmirësimin e shërbimeve për vizitoret në një prej pasurive më të rëndësishme kulturore të vendit. Kur teknologjia u kursen kohë njerëzve dhe e bën përvojën e tyre më të mirë, ajo krijon vlerë të vërtetë. Ky partneritet tregon se si inovacioni dhe bashkëpunimi mund të sjellin përfitime konkrete për institucionet, vizitorët dhe zhvillimin e turizmit në Shqipëri" u shpreh znj. Vilma Baçe, Anëtare e Bordit Drejtues për Biznesin Retail në Raiffeisen Bank Shqipëri.

Ky projekt është pjesë e angazhimit të bankës për të përshpejtuar transformimin digjital në vend. Përmes investimeve të vazhdueshme në teknologji, platforma digjitale dhe zgjidhje inovative pagesash, banka mbështet bizneset dhe institucionet shqiptare në ofrimin e shërbimeve më efikase, më të sigurta dhe më pranë nevojave të qytetarëve, duke kontribuar në zhvillimin e një ekonomie më moderne, më konkurruese dhe më të digjitalizuar.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit