

TIRANË – Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Fatime Kryemadhit, e cila kishte kundërshtuar një vendim të ndërmjetëm të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Kryemadhi kishte ankimuar vendimin e datës 15 qershor 2026 të GJKKO-së, pasi gjykata nuk pranoi kërkesën e saj për t’u tërhequr nga procedura e gjykimit të shkurtuar.
Në vendimin e saj, Gjykata e Lartë deklaroi se nuk pranon ankimin e veçantë të paraqitur nga e pandehura Fatime Kryemadhi ndaj vendimit të ndërmjetëm të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Ndërkohë, procesi gjyqësor ndaj Fatime Kryemadhit, Ema Çokut dhe Pirro Xhixhos është shtyrë për në muajin shtator, për shkak të pushimeve gjyqësore gjatë muajit gusht.
Ky proces po zhvillohet i ndarë nga çështja ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Në këtë dosje, SPAK ka paraqitur pretencën për tre të pandehurit, ndërsa tashmë pritet që ata të paraqesin mbrojtjen e tyre përpara gjykatës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






