

Aktivistja afgane për të drejtat e grave, Nilofar Ayoubi, ka ndarë historinë e saj të pazakontë, duke treguar se babai e rriti si djalë për rreth një dekadë për ta mbrojtur nga kufizimet e regjimit taleban dhe për t’i dhënë mundësinë të jetonte e lirë.
Sot, Ayoubi jeton si refugjate në Poloni, pasi u detyrua të largohej nga Afganistani pas rikthimit të talebanëve në pushtet në vitin 2021.
Nilofar lindi në vitin 1996 në qytetin e Kunduzit, gjatë sundimit të parë të talebanëve. Kur ishte vetëm katër vjeçe, ajo përjetoi një ngjarje që do t’i ndryshonte jetën. Siç ka rrëfyer për BBC, një burrë e goditi në rrugë sepse nuk mbante hixhab dhe më pas u përpoq të verifikonte nëse ishte vajzë.
Pas këtij episodi, babai i saj vendosi t’i priste flokët, ta vishte me rrobat e vëllezërve dhe ta rriste si djalë. Praktika, e njohur në Afganistan si “bacha posh”, u lejon disa vajzave të jetojnë përkohësisht si djem për të pasur më shumë liri lëvizjeje, akses në arsim dhe mundësi për të ndihmuar familjen.
Në rastin e Nilofarit, vendimi nuk lidhej me dëshirën për të pasur një djalë, por me bindjen e të atit se vajza e tij meritonte të njëjtat mundësi si vëllezërit.
“Të ishe djalë do të thoshte të kishe fuqi. Edhe një djalë dyvjeçar kishte më shumë të drejta se nëna e tij,” kujton ajo.

Nga mosha katër deri në 14 vjeç, Nilofar jetoi si djalë. Ajo mund të dilte lirisht, të udhëtonte me autobus, të luante sport dhe të shoqëronte të atin në treg, privilegje që për shumë vajza afgane ishin të paarritshme.
Megjithatë, kjo përvojë kishte edhe anën e saj të vështirë. Askush nuk i kishte shpjeguar ndryshimet e pubertetit dhe, kur i erdhën menstruacionet për herë të parë në moshën 13-vjeçare, nuk e kuptoi se çfarë po ndodhte. Me hyrjen në adoleshencë, familja vendosi t’i jepte fund jetës së saj si djalë.
“Qaja natën dhe lutesha që të mund të ndryshoja gjininë time,” ka treguar ajo, duke kujtuar sa e vështirë ishte të hiqte dorë nga liria që kishte njohur.
Më vonë, Nilofar u angazhua në mbrojtjen e të drejtave të grave. Gjatë studimeve krijoi grupe ndërgjegjësimi për vajzat, ndërsa vazhdoi studimet në Indi me mbështetjen e babait, i cili e inkurajoi të vendoste vetë për të ardhmen dhe martesën e saj.
Familja u vendos më pas në Kabul, ku ngriti një biznes mobiliesh që punësonte qindra persona, përfshirë shumë gra. Por pas rikthimit të talebanëve në pushtet në vitin 2021, ata u detyruan të largoheshin nga vendi. Me ndihmën e gazetarëve polakë, familja u evakuua nga Kabuli dhe u vendos në Poloni.
Sot, Nilofar Ayoubi është një nga zërat më të njohur ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave të grave afgane. Duke reflektuar mbi fëmijërinë e saj, ajo e përshkruan atë periudhë si një përvojë me dy anë.
“Ishte një bekim dhe një mallkim. Mallkim sepse ndihesha sikur nuk i përkisja askund, por bekim sepse munda të shihja të dyja anët e shoqërisë. Kjo më bëri gruan që jam sot,” shprehet ajo.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






