Transmetuar më 28-07-2026, 13:57

NYON – UEFA ka miratuar një ndryshim të rëndësishëm për Kampionatin Europian 2028, duke vendosur që vendet organizatore të mos kenë më një vend të garantuar në fazën finale të turneut.

Anglia, Skocia, Uellsi dhe Republika e Irlandës, që do të presin edicionin e ardhshëm të Europianit, do të duhet të marrin pjesë në fazën kualifikuese njësoj si të gjitha kombëtaret e tjera.

Ky është një vendim historik, pasi për herë të parë një turne europian me katër vende organizatore nuk do t’u japë automatikisht pjesëmarrjen pritësve.

Sipas formatit të ri të miratuar nga UEFA, 55 federatat anëtare do të ndahen në 12 grupe kualifikuese. Në fazën finale do të sigurojnë pjesëmarrjen 12 fituesit e grupeve dhe tetë skuadrat e renditura të dytat me rezultatet më të mira.

Për vendet organizatore, UEFA ka rezervuar vetëm dy vende shtesë, të cilat do të aktivizohen vetëm në rast se një ose dy prej tyre nuk arrijnë të kualifikohen përmes eliminatoreve.

Nëse tre ose katër organizatorët dështojnë në eliminatore, vetëm dy prej tyre me renditjen më të mirë do të përfitojnë nga vendet e rezervuara, ndërsa pjesa tjetër do të mbetet jashtë turneut.

Vendimi ka shkaktuar diskutime në botën e futbollit, pasi ndryshon nga qasja e FIFA-s për Kupën e Botës 2030. Organizata botërore e futbollit ka garantuar pjesëmarrjen automatike të vendeve pritëse të Botërorit, përfshirë Argjentinën, Uruguain dhe Paraguain.

Euro 2028 do të zhvillohet nga 9 qershori deri më 9 korrik 2028 në Angli, Skoci, Uells dhe Republikën e Irlandës. Shorti i fazës kualifikuese pritet të zhvillohet në fund të vitit 2026.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit