Transmetuar më 28-07-2026, 13:30

I dënuar me 11 vite burg në Itali për trafik droge, arrestohet në Lushnjë 48-vjeçari

Policia e Shtetit ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit të koduar “Fast”, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Operacioni u zhvillua nga Sektori për Kërkimin, FAST Albania, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier.

Gjatë operacionit u lokalizua dhe u arrestua përkohësisht në Lushnjë, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, shtetasi Bledar Buxheli, i njohur edhe me emrin Bledar Çelo, 48 vjeç.

Sipas policisë, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit e Venecias e kishte dënuar në vitin 2024 me 11 vite burg për veprën penale të trafikut të drogës.

Nga dënimi i dhënë, 48-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur edhe 8 vite, 6 muaj e 24 ditë burgim.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit