

LONDËR – Ambasada e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar ka reaguar ndaj një artikulli të publikuar nga BBC, duke kërkuar korrigjimin e një titulli që, sipas saj, përgjithësonte veprimet e disa individëve duke ia atribuar një komuniteti të tërë.
Artikulli i publikuar më 24 korrik kishte fillimisht titullin “Albanians used false papers for settlement scheme” (“Shqiptarët përdorën dokumente false për skemën e qëndrimit”). Sipas Ambasadës shqiptare, ky formulim krijonte përshtypjen se përgjegjësia për veprimet e tre personave u ngarkohej shqiptarëve si komunitet.
Pas reagimit zyrtar të Ambasadës, BBC ndryshoi titullin e artikullit në “Trio used false papers for settlement scheme” (“Tre persona përdorën dokumente false për skemën e qëndrimit”).
Në reagimin e saj, Ambasada shqiptare falënderoi qytetarët shqiptarë që ngritën shqetësimin për përdorimin e stereotipeve dhe theksoi rëndësinë e raportimit të saktë dhe të përgjegjshëm nga mediat.
Sipas Ambasadës, në rastet e çështjeve penale përgjegjësia është individuale dhe jo kolektive, ndërsa përdorimi i një kombësie në tituj për veprimet e disa personave mund të ndikojë në krijimin e paragjykimeve ndaj një komuniteti të tërë.
“Një formulim i tillë është i padrejtë, i pasaktë dhe stigmatizues. Kur një çështje penale ka të bëjë me individë të caktuar, përgjegjësia është individuale dhe jo kolektive”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Institucioni diplomatik bëri të ditur se do të vijojë të reagojë ndaj rasteve kur Shqipëria ose qytetarët shqiptarë trajtohen në mënyrë të padrejtë apo stereotipizuese në media, duke e cilësuar respektin për të vërtetën dhe dinjitetin e komuniteteve si një standard të rëndësishëm të gazetarisë dhe shoqërisë demokratike.



Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






