Transmetuar më 28-07-2026, 13:00

TIRANË – Vijon në Gjykatën e Posaçme seanca ndaj Laert Haxhiut, ku po merren në pyetje dëshmitarë lidhur me episodet e vrasjeve për të cilat ai akuzohet.

Në lidhje me vrasjen e Albi Bashaliut, para trupit gjykues ka dëshmuar vëllai i viktimës, Leonard Bashaliu, i cili është sjellë në GJKKO nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Peqin. Bashaliu aktualisht është duke vuajtur dënimin për vrasjen e Ylber Xhahysës, vëllait të Albert Xhahysës.

Gjatë dëshmisë së tij, Leonard Bashaliu deklaroi se në momentin kur ndodhi vrasja e të vëllait, ai ndodhej në burg dhe lajmin e kishte mësuar përmes televizionit.

“Vëllai im është vrarë më 27 dhjetor 2021. Unë kam qenë në burg kur është vrarë vëllai, në IEVP Elbasan. E mora vesh nga televizioni që ishte vrarë Albi. Nuk kam qenë mirë nga ana psikologjike dhe nuk kërkova takim me njeri. Erdhi më takoi nëna ime, por nuk folëm për ngjarjen. Nuk kam ide se kush mund ta ketë vrarë vëllain tim”, deklaroi ai.

Gjatë seancës, Bashaliu foli edhe për dënimin e tij për vrasjen e Ylber Xhahysës, duke pohuar se e ka pranuar autorësinë dhe se ka shprehur pendesë për ngjarjen.

“Unë kam qenë në burg për vrasjen e Ylber Xhahysës. E kam vrarë, e kam pranuar krimin, kam shprehur pendesë dhe kam marrë dënimin”, u shpreh ai.

I pyetur për njohjet e tij me familjen Xhahysa, dëshmitari tha se njeh Albert Xhahysën dhe familjarët e tij, por mohoi të ketë pasur ndonjë informacion apo dyshim se kush mund të jetë autori i vrasjes së vëllait të tij.

“Albert Xhahysa ka dy djem dhe një vëlla, i njoh. Nuk më ka ardhur ndonjë sinjal se kush mund ta ketë vrarë vëllain”, tha Leonard Bashaliu.

Gjatë seancës, gjykata e pyeti dëshmitarin nëse ishte interesuar të zbulonte autorin e vrasjes së Albi Bashaliut.

“Jo. Unë jam pa përkrahje, i përkas klasës punëtore. Nuk njoh asnjë, jam pa përkrahje. Më vranë vëllanë”, u përgjigj ai.

Procesi ndaj Laert Haxhiut vijon me dëgjimin e dëshmitarëve dhe administrimin e provave për ngjarjet për të cilat ai akuzohet.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit