

TIRANË – Gjykata e Apelit të Posaçëm ka rrëzuar ankimin e Jamarbër Malltezit dhe Argita Berishës për heqjen e masës së sekuestros ndaj 25 pasurive të paluajtshme.
Vendimi i shkallës së dytë lë në fuqi masën e vendosur më herët nga Gjykata e Posaçme, e cila kishte urdhëruar mbajtjen nën sekuestro të këtyre pasurive në kuadër të hetimeve për dosjen “Partizani”.
Sipas vendimit të Apelit, kërkesa e çiftit Malltezi për shfuqizimin e masës së sigurisë pasurore nuk është pranuar, duke konfirmuar vijimin e bllokimit të pronave.
Për sekuestrimin e 25 pasurive të Jamarbër Malltezit është shprehur më herët edhe Gjykata e Lartë, e cila la në fuqi vendimin për mbajtjen e tyre nën masën e sekuestros.
Pasuritë u sekuestruan nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) gjatë fazës së hetimeve paraprake për çështjen e njohur si dosja “Partizani”.
Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa vendimet përfundimtare mbi përgjegjësitë ligjore do të përcaktohen nga procesi gjyqësor.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






