Transmetuar më 28-07-2026, 11:29

GOLEM – Policia e Kavajës ka vijuar kontrollet në vijën bregdetare në kuadër të operacionit të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme.

Gjatë aksionit në plazhin e Golemit, efektivët e policisë kanë hequr dhe sekuestruar 116 çadra dhe 232 shezlongë, të cilët ishin vendosur pa lejet përkatëse në hapësira publike.

Sipas policisë, për këtë rast është nisur procedimi penal në gjendje të lirë ndaj tre shtetasve, me inicialet A. B., 54 vjeç, D. K., 38 vjeç dhe F. D., 24 vjeç, të tre banues në Kavajë.

Kontrollet janë zhvilluar për të verifikuar respektimin e rregullave nga subjektet që operojnë në zonat bregdetare gjatë sezonit turistik dhe për të garantuar aksesin e lirë të pushuesve në hapësirat publike.

Policia e Shtetit bëri të ditur se aksionet do të vijojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare, ndërsa subjektet që zënë në mënyrë të paligjshme hapësirat publike do të përballen me masa administrative dhe procedime penale, sipas parashikimeve ligjore.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe operatorëve turistikë që të respektojnë hapësirat publike dhe të shmangin çdo ndërhyrje të paautorizuar në zonat bregdetare.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit