

TIRANË – Sekretariati i Etikës ka vendosur përjashtimin me 60 ditë të deputetit dhe kryetarit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, pas incidentit të regjistruar gjatë seancës plenare të së hënës.
Vendimi vjen pas kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, e cila kërkoi masë disiplinore ndaj Shehajt për veprimet e tij gjatë shqyrtimit në Kuvend të projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ushtarak mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas pretendimeve të shumicës parlamentare, deputeti mori një dokument të klasifikuar si konfidencial që lidhej me marrëveshjen dhe u largua nga salla e Kuvendit, duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të procedurave parlamentare.
Pas shqyrtimit të çështjes, Sekretariati i Etikës vendosi përjashtimin e Agron Shehajt nga punimet e Kuvendit për një periudhë 60-ditore.
Nga ana e tij, Shehaj ka deklaruar se veprimi i tij kishte për qëllim denoncimin e mungesës së transparencës në trajtimin e dokumenteve që lidhen me marrëveshjen, ndërsa pritet që ai të shprehet edhe pas vendimit të Sekretariatit të Etikës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






