Transmetuar më 28-07-2026, 09:41

BRUKSEL – Bashkimi Evropian ka intensifikuar mbështetjen për Francën dhe Spanjën në përballjen me valën e zjarreve që po përfshin të dy vendet, duke mobilizuar avionë zjarrfikës, helikopterë dhe ekipe të specializuara përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së.

Komisioni Evropian bëri të ditur se në Francë janë dislokuar shtatë avionë zjarrfikës dhe katër helikopterë nga Republika Çeke, Kroacia, Gjermania, Portugalia, Sllovakia, Suedia dhe Turqia, për të mbështetur autoritetet në luftën kundër flakëve.

Ndërkohë, për Spanjën janë mobilizuar gjashtë avionë zjarrfikës nga Greqia, Italia dhe Turqia. Portugalia ka dërguar gjithashtu 134 efektivë dhe 41 automjete për të ndihmuar operacionet e shuarjes së zjarreve.

Për të koordinuar më mirë ndihmën ndërkombëtare, Komisioni Evropian ka vendosur një oficer ndërlidhës në Bordo, i cili do të bashkëpunojë me autoritetet franceze për menaxhimin e operacioneve.

Sipas Komisionit, ekipe zjarrfikësish nga disa vende evropiane ishin pozicionuar paraprakisht në Francë dhe Spanjë në kuadër të planit të gatishmërisë së Bashkimit Evropian për sezonin e zjarreve, duke mundësuar reagim të menjëhershëm sapo shpërthyen vatrat.

Evropa po përballet me një valë zjarresh të përmasave të mëdha, të nxitura nga temperaturat e larta dhe kushtet ekstreme të motit. Franca, Spanja dhe Greqia janë ndër vendet më të prekura nga flakët.

Në Spanjë, zjarret kanë vijuar të përhapen edhe gjatë natës në zonat e Avilës dhe Madridit, ku janë djegur rreth 45 mijë hektarë tokë. Situata ka detyruar rreth 100 mijë banorë të evakuohen ose të qëndrojnë të izoluar në banesat e tyre për arsye sigurie.

Sipas autoriteteve evropiane, operacionet e shuarjes së zjarreve dhe mbështetja ndërkufitare do të vazhdojnë për aq kohë sa situata do ta kërkojë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit