Transmetuar më 28-07-2026, 09:30

TIRANË – Ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor vijojnë të mbështeten në modele të ndryshme zhvillimi, ku secili shtet ka sektorë dominues që përcaktojnë ritmin e rritjes ekonomike. Të dhënat e përpunuara nga Monitor, bazuar në statistikat e Eurostat për vitin 2024, tregojnë se Shqipëria dallohet për peshën më të lartë të sektorit të ndërtimit në Evropë, ndërsa Serbia ka ndërtuar një ekonomi më të orientuar drejt teknologjisë së informacionit.

Shqipëria, ekonomia më e varur nga ndërtimi

Sipas të dhënave, sektori i ndërtimit gjeneron 13.8% të vlerës së shtuar bruto në Shqipëri, më shumë se dyfishi i mesatares së Bashkimit Evropian, që është 5.5%, dhe niveli më i lartë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Rritja e investimeve në banesa, komplekse turistike dhe projekte urbane ka qenë një nga motorët kryesorë të zgjerimit ekonomik në vitet e fundit. Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se mbështetja e madhe te ndërtimi nuk garanton një model të qëndrueshëm zhvillimi, pasi sektori ka potencial më të kufizuar për rritjen e produktivitetit, eksporteve dhe inovacionit krahasuar me industrinë, teknologjinë dhe shërbimet profesionale.

Raporti evidenton gjithashtu se Shqipëria ka peshën më të lartë të bujqësisë në rajon, me rreth 17–18% të vlerës së shtuar bruto, shumë mbi mesataren e Bashkimit Evropian prej më pak se 2%. Ndërkohë, industria përfaqëson vetëm rreth 12% të ekonomisë, një nivel dukshëm më i ulët se në shumicën e vendeve fqinje.

Në të njëjtën kohë, financat dhe sigurimet zënë vetëm rreth 2% të ekonomisë shqiptare, duke reflektuar zhvillimin ende të kufizuar të tregut financiar dhe varësinë e lartë nga sistemi bankar.

Serbia, model i orientuar drejt teknologjisë

Ndryshe nga Shqipëria, Serbia ka zhvilluar një ekonomi më të diversifikuar, ku sektori i informacionit dhe komunikimit gjeneron rreth 10% të vlerës së shtuar bruto, niveli më i lartë në rajon dhe afërsisht dyfishi i mesatares së Bashkimit Evropian.

Zhvillimi i industrisë së teknologjisë së informacionit ka rritur eksportet e shërbimeve, punësimin e kualifikuar dhe investimet në ekonomi të bazuar te njohuritë. Industria përfaqëson 21.2% të ekonomisë serbe, ndërsa ndërtimi ka një peshë më të moderuar prej rreth 6%.

Mali i Zi mbështetet te turizmi

Ekonomia e Malit të Zi mbetet më e orientuara drejt turizmit dhe shërbimeve. Aktivitetet e tregtisë, transportit, akomodimit dhe ushqimit përbëjnë 32.6% të vlerës së shtuar bruto, niveli më i lartë në rajon.

Kjo strukturë ekonomike sjell përfitime të konsiderueshme gjatë sezoneve turistike, por njëkohësisht e ekspozon vendin ndaj luhatjeve të kërkesës ndërkombëtare dhe goditjeve të jashtme ekonomike.

Kosova ruan bazën industriale

Kosova mbështetet kryesisht te industria, tregtia dhe ndërtimi. Industria përfaqëson 22.8% të ekonomisë, ndërsa ndërtimi rreth 10%, duke u renditur i dyti në rajon pas Shqipërisë.

Megjithatë, sektorët e teknologjisë së informacionit, financave dhe shërbimeve profesionale mbeten ende më pak të zhvilluar krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina me strukturë më të balancuar

Maqedonia e Veriut paraqet një ekonomi më të shpërndarë mes industrisë, tregtisë, ndërtimit dhe shërbimeve. Industria përbën rreth 21% të ekonomisë, ndërsa ndërtimi 7.2% të vlerës së shtuar bruto.

Nga ana tjetër, Bosnjë-Hercegovina vazhdon të mbështetet te industria përpunuese dhe eksportet, me industrinë që zë rreth 21% të ekonomisë. Tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimet e ushqimit kontribuojnë me afro një të katërtën e vlerës së shtuar bruto.

Diferencat me Bashkimin Evropian

Krahasuar me Bashkimin Evropian, ekonomitë e Ballkanit Perëndimor vijojnë të mbështeten më shumë në sektorë tradicionalë si bujqësia, ndërtimi, tregtia dhe industria klasike. Në të kundërt, ekonomia evropiane karakterizohet nga pesha më e madhe e shërbimeve profesionale, financiare dhe aktiviteteve të bazuara në teknologji dhe njohuri.

Analiza tregon se, ndërsa disa vende të rajonit kanë filluar të diversifikojnë strukturën e tyre ekonomike, sfida mbetet orientimi drejt sektorëve me produktivitet më të lartë, inovacion dhe eksporte, të cilët konsiderohen vendimtarë për rritjen e qëndrueshme afatgjatë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit