Transmetuar më 28-07-2026, 09:00

TIRANË – Pavarësisht përmirësimit të treguesve të tregut të punës gjatë vitit 2025, mijëra qytetarë me arsim të lartë vijojnë të mbeten të papunë. Sipas raportit "Tregu i Punës 2025" të INSTAT, në vend rezultojnë 17.800 persona me diplomë universitare në kërkim të një vendi pune, ku pjesa më e madhe janë të rinj.

Të dhënat tregojnë se 5.370 të papunë me arsim të lartë i përkasin grupmoshës 15–24 vjeç, ndërsa 4.323 janë të moshës 25–29 vjeç. Në total, 9.693 persona, ose rreth 55% e të gjithë të papunëve me diplomë universitare, janë nën moshën 30 vjeç, çka nxjerr në pah vështirësitë që hasin të rinjtë për t’u integruar në tregun e punës pas përfundimit të studimeve.

Sipas INSTAT, grupi i moshës 25–54 vjeç përbën numrin më të madh të të papunëve, me 11.284 persona, ndërsa numri i personave mbi 55 vjeç me arsim universitar që kërkojnë punë mbetet dukshëm më i ulët.

Në nivel kombëtar, gjatë vitit 2025 u regjistruan 107.548 persona të papunë. Prej tyre, 45.764 kishin arsim të mesëm, 43.984 arsim 8/9-vjeçar dhe 17.800 arsim të lartë. Kjo do të thotë se të diplomuarit përbëjnë rreth 16,5% të totalit të të papunëve në vend.

Raporti evidenton se sfida kryesore mbetet kalimi nga arsimi në punësim. Ekspertët e lidhin këtë situatë me mospërputhjen mes profileve të diplomimit dhe kërkesave reale të tregut të punës, ku ekonomia shqiptare krijon më shumë vende pune në sektorët e shërbimeve, turizmit, ndërtimit dhe tregtisë.

Një tjetër faktor është mungesa e përvojës profesionale dhe e aftësive praktike, teknologjike, gjuhësore dhe digjitale që kërkohen nga punëdhënësit. Gjithashtu, pritshmëritë më të larta të një pjese të të diplomuarve për pagën dhe pozicionin e punës ndikojnë në zgjatjen e periudhës së papunësisë.

Sipas raportit, forcimi i bashkëpunimit mes universiteteve dhe biznesit, zgjerimi i praktikave profesionale dhe orientimi më i mirë i karrierës konsiderohen elementë kyç për të lehtësuar integrimin e të rinjve në tregun e punës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit