Transmetuar më 27-07-2026, 23:20

27 korrik 2026 – Fitorja me nokaut e Anthony Joshua ndaj boksierit shqiptar Kristian Prenga ka nxitur diskutime në botën e boksit, me disa analistë dhe tifozë që kanë shprehur dyshime mbi mënyrën se si u zhvillua përballja.

Joshua triumfoi në raundin e dytë të ndeshjes së zhvilluar në Xhedah të Arabisë Saudite, në rikthimin e tij në ring pas një periudhe të vështirë personale, pas aksidentit automobilistik në Nigeri në fund të vitit 2025.

Përballja nisi në favor të Kristian Prengës. Boksieri shqiptar arriti ta vendoste në vështirësi britanikun në raundin e parë, duke e rrëzuar dy herë dhe duke krijuar përshtypjen se mund të realizonte një fitore surprizë.

Megjithatë, në raundin e dytë Joshua reagoi me një goditje të fortë me të djathtën, e cila e dërgoi Prengën në tapet. Arbitri vendosi të ndërpresë duelin, duke i dhënë fitoren me nokaut boksierit britanik.

Pas ndeshjes, ish-presidenti i Crystal Palace, Simon Jordan, shprehu dyshime për rrjedhën e takimit. Në një reagim në rrjetin social X, ai vuri në pikëpyetje ndryshimin e ritmit të ndeshjes pas dominimit të Prengës në raundin e parë.

"Dy herë i rrëzuar dhe më pas vendos ritmin e ndeshjes? Si shpjegohet kjo? Prenga ishte krejt ndryshe në raundin e dytë. Diçka nuk më duket në rregull, gjithçka duket e bërë për të nxjerrë maksimumin e parave", shkroi Jordan.

Edhe disa tifozë kanë ndarë opinione të ngjashme në rrjetet sociale, duke spekuluar mbi zhvillimin e duelit. Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë provë apo deklaratë zyrtare nga organizatorët, arbitrat apo palët e përfshira që të mbështesë pretendimet për manipulim të ndeshjes.

Me këtë fitore, Anthony Joshua mbetet në rrugën drejt një përballjeje të shumëpritur me Tyson Fury, e cila pritet të zhvillohet gjatë muajit nëntor 2026, ndërsa data dhe vendi zyrtar i sfidës ende nuk janë konfirmuar.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit