Transmetuar më 27-07-2026, 20:42

BRASÍLIA, 27 Korrik 2026 – Gjykata e Lartë Federale e Brazilit ka vendosur të mbajë në fuqi masën e arrestit parandalues me qëllim ekstradimi ndaj shtetasit shqiptar Ervin Mata, duke rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për zëvendësimin e saj me masa më të lehta sigurie.

Vendimi i marrë nga gjyqtari relator Alexandre de Moraes i hap rrugë vijimit të procedurave për ekstradimin e Matës drejt Shqipërisë. Drejtësia shqiptare e kërkon atë për procedim penal në lidhje me akuzat për trafik të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Sipas aktvendimit gjyqësor, masa e arrestit parandalues ndaj Matës ishte caktuar më 11 mars 2025, ndërsa ekzekutimi i saj nga Policia Federale braziliane u realizua më 25 prill 2026. Avokatët mbrojtës pretenduan se shteti shqiptar nuk kishte respektuar afatet ligjore për formalizimin e kërkesës, por trupi gjykues e rrëzoi këtë pretendim duke konfirmuar se Ambasada e Shqipërisë ka përmbushur të gjitha kërkesat procedurale.

Me këtë vendim, Ervin Mata do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim në Brazil deri në përfundimin e procesit që do të përcaktojë dorëzimin e tij te autoritetet shqiptare.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit