

TIRANË, 27 Korrik 2026 – Numri i aksidenteve rrugore në Shqipëri ka shënuar rritje gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026, duke lënë pas qindra të plagosur dhe jetë të humbura.
Sipas raportit më të fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT), gjatë kësaj periudhe janë regjistruar gjithsej 679 aksidente rrugore, me 952 persona të dëmtuar (të vrarë ose të plagosur). Të dhënat tregojnë një rritje prej 6.8% të numrit të aksidenteve krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.
Muaji qershor ka rezultuar më problematiku, me 132 aksidente dhe 186 persona të prekur, kundrejt 107 aksidenteve dhe 140 të dëmtuarve që u regjistruan në qershorin e vitit 2025. Ekspertët e INSTAT-it bëjnë me dije se 93.9% e aksidenteve të muajit qershor kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve, ku peshën kryesore e mban grupmosha 35–44 vjeç, e përfshirë në 28% të rasteve.
Sa i përket shpërndarjes gjeografike, Tirana mban numrin më të lartë të aksidenteve në shkallë vendi për gjashtëmujorin, me 277 raste dhe 345 persona të vrarë ose të plagosur, e ndjekur nga Lezha me 74 aksidente dhe Vlora me 67 raste.
Të dhënat analitike tregojnë gjithashtu se një në katër aksidente ka ndodhur gjatë fashës orare 19:00–24:00. Dita me numrin më të lartë të ngjarjeve rrugore ishte e marta, me 18.9% të totalit, ndërsa incidenca më e ulët u regjistrua ditën e enjte, me 7.6%.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






