Transmetuar më 27-07-2026, 15:53

TIRANË, 27 Korrik 2026 – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme dosjen në ngarkim të 11 shtetasve shqiptarë, të akuzuar si pjesë e grupeve të strukturuara kriminale që operonin mes Shqipërisë dhe Finlandës.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK-ut, ky procedim penal është ndarë nga dosja kryesore me numër 147 e vitit 2023, ndërsa hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet finlandeze në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore. Nga verifikimet e kryera ka rezultat se, duke nisur nga viti 2022, rrjeti i drejtuar nga shtetasit shqiptarë ka trafikuar dhe shpërndarë në disa qytete të Finlandës sasi të mëdha lëndësh narkotike, me qëllim përfitimin e të ardhurave të paligjshme.

Gjatë procesit hetimor janë përdorur metoda speciale të mbledhjes së provave, përfshirë përgjime telefonike, vëzhgime audio dhe video, si dhe shkëmbim informacioni në kohë reale me Byronë Kombëtare të Hetimit të Finlandës. Në dosje janë dokumentuar episode të shumta që përfshijnë shpërndarjen e qindra kilogramëve amfetaminë, kanabis dhe kokainë, si dhe mijëra tabletave ekstazi e medikamenteve narkotike. Një pjesë e pjesëtarëve të këtij rrjeti janë arrestuar dhe dënuar më parë nga drejtësia finlandeze.

Aksioni hetimor është mbështetur gjithashtu nga Zyra e Oficerit Ndërlidhës të Vendeve Nordike për Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe nga rrjeti @ON, i financuar nga Komisioni Evropian dhe i koordinuar nga Drejtoria Italiane e Hetimit Antimafia. SPAK bën me dije se hetimet për dosjen në fjalë vijojnë me qëllim identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Personat e dërguar në gjyq si të pandehur janë Besnik Spata, Ermelind Pupa (i njohur edhe si Ermelind Myzyri), Erind Agalliu (alias Erind Teneqexhiu), Geraldo Seferaj, Dorjan Luzaj, Kevin Qevani (alias Bojken Qevani), Toni Kota (alias Elton Tavani, Thoma Tavani, Toni Tavani), Eltion Myftari (alias Eltjon Miftari), Ledjon Hoxha, Altin Musta dhe Nikollaq Godo (alias Pavjol Gode).

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit