Transmetuar më 27-07-2026, 13:43

Tiranë – Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka deklaruar se Shqipëria ka rritur nivelin e gatishmërisë për përballimin e sezonit të zjarreve, ndërsa ka paralajmëruar masa të ashpra ligjore ndaj autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme.

Gjatë një aktiviteti për mbrojtjen civile, Lamallari tha se zjarret mbeten një nga sfidat më të mëdha për vendin, duke sjellë si shembull situatën e krijuar në Francë, ku autoritetet vijojnë përballjen me vatra të shumta zjarri.

Sipas ministrit, qeveria ka hartuar plane operacionale në të 61 bashkitë, ka zhvilluar mijëra inspektime teknike, ka forcuar sistemin e monitorimit dhe ka rritur koordinimin me Policinë e Shtetit për identifikimin dhe ndëshkimin e rasteve të zjarrvënies së qëllimshme.

Lamallari bëri të ditur se ndryshimet në Kodin Penal parashikojnë dënime deri në 15 vite burg, në varësi të pasojave dhe rrethanave të veprës penale.

“Personat që u vënë zjarrin pyjeve, kullotave apo rrezikojnë jetën e qytetarëve nuk dëmtojnë vetëm mjedisin, por cenojnë edhe sigurinë kombëtare dhe do të përballen me forcën e ligjit”, u shpreh ministri.

Ai theksoi gjithashtu se janë shtuar investimet për shërbimin zjarrfikës, duke përfshirë financimin për 130 mjete të reja zjarrfikëse, ndërtimin e katër stacioneve të reja në Prrenjas, Mat, Patos dhe Mirditë, si edhe rritjen e fondeve për përmirësimin e kapaciteteve operacionale në të gjithë vendin.

Sipas Lamallarit, masat e marra synojnë forcimin e reagimit ndaj emergjencave, përmes një koordinimi më të ngushtë mes Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura, Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe njësive të qeverisjes vendore.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit