

Tiranë – Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin për 60 ditë nga punimet e Kuvendit të deputetit Agron Shehaj, pas incidentit të regjistruar gjatë shqyrtimit të marrëveshjes konfidenciale të huasë prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas socialistëve, kërkesa lidhet me veprimin e Shehajt, i cili mori kopjen e marrëveshjes konfidenciale nga salla “Gerti Bogdani” dhe më pas u largua me të.
Përveç masës disiplinore, Partia Socialiste ka bërë të ditur se do të paraqesë edhe një kallëzim në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke pretenduar se veprimet e deputetit kanë cenuar sigurinë e vendit.
Nga ana e tij, Agron Shehaj ka deklaruar më herët se dokumentin e mori pasi nënshkroi deklaratën e konfidencialitetit, e lexoi brenda ambienteve të Kuvendit dhe më pas e dorëzoi sërish në zyrën përkatëse, duke mohuar se marrëveshja ka dalë jashtë institucionit.
Çështja pritet të shqyrtohet nga organet kompetente të Kuvendit, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ndërmerren edhe veprime nga SPAK.
Shehaj merr kopjen e dokumentit të klasifikuar dhe largohet me vrap
Pas miratimit të procedurës së përshpejtuar për shqyrtimin e projektligjit që lidhet me huanë prej 302 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara për blerjen e pajisjeve ushtarake, deputetëve u është vënë në dispozicion një kopje e marrëveshjes përpara seancës së radhës, të parashikuar për sot në orën 15:00.
Dokumenti konsiderohet i klasifikuar dhe, sipas procedurave, deputetët që dëshirojnë ta konsultojnë duhet të nënshkruajnë paraprakisht një deklaratë konfidencialiteti, në përputhje me rregullat për administrimin e informacionit të klasifikuar.
Në një video të publikuar nga ambientet e Kuvendit, deputeti Agron Shehaj shihet duke hyrë në sallën ku mbahej kopja e marrëveshjes, duke e marrë dokumentin dhe duke u larguar me shpejtësi, pavarësisht thirrjeve të punonjësve për të ndaluar.
Pamjet kanë shkaktuar reagimin e përfaqësuesve të mazhorancës. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kërkoi arrestimin e Shehajt, duke e akuzuar atë për shkelje të ligjit.
“Agron Shehaj duhet arrestuar në flagrancë për shkelje të ligjit. Hajduti i të dhënave personale të shqiptarëve tani ka nisur të vjedhë edhe dokumentet e Kuvendit. Kur mungojnë argumentet, mbeten vetëm vjedhja e dokumenteve të klasifikuara dhe dëshpërimi. Agresioni ndaj një punonjëseje të administratës është gjithashtu një vepër penale”, deklaroi Balla.


Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






