

Fier – Shefi i Stacionit të Policisë së Roskovecit, Mariglen Koroveshaj, ka dhënë detaje mbi negociatat që çuan në lirimin e Rozalinda Plakës, e cila u mbajt peng nga ish-i fejuari i saj, Refit (Nertil) Buzi, pas ngjarjes së rëndë në Vidhishtë.
Në një intervistë televizive, Koroveshaj bëri të ditur se ishte vetë autori ai që kërkoi që pranë automjetit të afrohej vetëm ai, i paarmatosur.
Sipas tij, negociatat zgjatën për disa orë, ndërsa çdo veprim u koordinua dhe u monitorua nga forcat speciale RENEA.
“Autori kërkoi që të afrohesha i vetëm dhe i paarmatosur. E zbatova kërkesën e tij për të shmangur përshkallëzimin e situatës, pasi objektivi ynë ishte shpëtimi i jetës së pengut dhe i vetë autorit”, deklaroi Koroveshaj.
Ai tregoi se iu afrua automjetit deri në rreth dy metra, por autori nuk e lejoi të afrohej më shumë, duke paralajmëruar se në të kundërt do t’i jepte fund jetës.
Pas vijimit të negociatave, sipas Koroveshajt, u arrit të sigurohej lirimi i Rozalinda Plakës.
Shefi i Policisë tha se 25-vjeçarja ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike dhe kishte marrë edhe dëmtime fizike, të cilat e pengonin të ecte. Për këtë arsye, ai e largoi nga zona e rrezikut duke e marrë në krahë, përpara se të rikthehej për të vijuar negociatat me autorin.
Koroveshaj e cilësoi operacionin si momentin më të vështirë të karrierës së tij 12-vjeçare në Policinë e Shtetit, duke theksuar se çdo sekondë ishte vendimtare për shmangien e një pasoje edhe më të rëndë.
Ngjarja përfundoi disa orë më vonë, kur Refit Buzi, i rrethuar nga forcat e policisë në zonën e Kurjanit, qëlloi veten me armë zjarri. Prokuroria vijon hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarjeje.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






