Transmetuar më 27-07-2026, 13:15

Tiranë – Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar pas incidentit të regjistruar në Kuvend, ku u pa duke marrë kopjen e marrëveshjes së huas prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe duke u larguar nga salla.

Në një deklaratë për mediat, Shehaj sqaroi se dokumentin e mori për ta shqyrtuar, pasi, sipas tij, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, kishte njoftuar deputetët se marrëveshja mund të tërhiqej në zyrën përkatëse pas nënshkrimit të deklaratës së konfidencialitetit.

“Shkova, firmosa dokumentin për mospërndarjen e marrëveshjes dhe u largova. Kryeparlamentari u tha deputetëve se mund ta merrnin në zyrën përkatëse. Nuk tha që nuk mund ta merrje”, u shpreh Shehaj.

Ai theksoi se, pasi e lexoi dokumentin, e dorëzoi sërish në zyrën ku e kishte marrë, duke shtuar se marrëveshja nuk ka dalë jashtë ambienteve të Kuvendit.

“Marrëveshjen e dorëzova sërish aty ku e mora. Marrëveshja nuk ka dalë nga Kuvendi i Shqipërisë. E mora sepse më takonte. Ajo është një marrëveshje konfidenciale dhe nuk jam i autorizuar të jap detaje”, deklaroi kreu i Partisë Mundësia.

Lidhur me votimin, Shehaj tha se subjekti që ai drejton mbështet në parim marrëveshjen e huas me SHBA-në, por kundërshton procedurën e ndjekur për miratimin e saj në Kuvend.

“Ne jemi pro marrëveshjes, por jemi kundër procedurës që po ndiqet nga Kuvendi”, përfundoi ai.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit