

Londër – Ndryshe nga praktika e ndjekur në Kupën e Botës 2030, Anglia nuk e ka të garantuar automatikisht pjesëmarrjen në Kampionatin Europian 2028, pavarësisht se është një nga vendet organizatore të turneut.
Sipas formatit të ri të UEFA-s, Anglia do të marrë pjesë në fazën kualifikuese, së bashku me 50 kombëtaret e tjera, duke qenë pjesë e njërit prej 12 grupeve me katër ose pesë skuadra. Po ashtu, ajo nuk do të shortohet në të njëjtin grup me Skocinë, Uellsin dhe Republikën e Irlandës, të cilat janë gjithashtu organizatore të turneut.
Vendimi ndryshon nga ai i FIFA-s për Kupën e Botës 2030, ku Spanja, Portugalia dhe Maroku kanë siguruar automatikisht pjesëmarrjen si vende organizatore. Gjithashtu, Argjentina, Uruguaji dhe Paraguaji kanë përfituar një vend në turne për shkak se do të organizojnë ndeshjet hapëse në kuadër të 100-vjetorit të Botërorit.
Euro 2028 do të zhvillohet në disa stadiume në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë, përfshirë “Wembley”, “Tottenham Hotspur Stadium”, “Etihad Stadium”, “Hill Dickinson Stadium”, “St James’ Park” dhe “Villa Park”.
Formati i ri i kualifikueseve do të thotë se Anglia, pavarësisht statusit si organizatore, do të duhet të sigurojë kualifikimin në fushë për të qenë pjesë e fazës finale të Kampionatit Europian 2028.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






