Transmetuar më 27-07-2026, 12:01

Rozalinda Plaka, e reja prindërit e së cilës u vranë në tragjedinë e ndodhur në Vidhishtë, pritet të merret sërish në pyetje nga prokurorët e çështjes. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se dëshmia e saj e parë, e dhënë menjëherë pas përfundimit të pengmarrjes, ka qenë e paplotë për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike.

Sipas burimeve pranë familjes Plaka, 25-vjeçarja ka rrëfyer se në momentin e sulmit ishte në gjumë.

Ajo është zgjuar nga krismat e armës dhe, sapo ka dalë nga dhoma, ka parë babanë të shtrirë në tokë, ndërsa ish-i fejuari i saj, Refit Nertil Buzi, e ka kërcënuar me armë, e ka marrë me forcë dhe e ka futur në automjet.

Më pas ai është larguar drejt zonës kodrinore të Kurjanit, ku e mbajti peng për rreth katër orë.

Ndërkohë, Prokuroria e Fierit vijon hetimet jo vetëm për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë, por edhe për një procedim tjetër penal që rëndonte ndaj 35-vjeçarit për veprën penale të mashtrimit.

Nga fejesa te tragjedia me tre viktima, rrëfimi i plotë Rozalindës për orët e tmerrit: Prindërit e mi nuk e pranuan kurrë lidhjen… Prokurori Kristi Jorgji, i cili mori pjesë personalisht në negociatat me Buzin për ta bindur të dorëzohej, është njëkohësisht prokurori që hetonte edhe çështjen e mashtrimit ndaj tij.

Sipas burimeve, Buzi ushtronte aktivitet në tregtinë e perimeve, duke u premtuar fermerëve eksportimin e produkteve në tregjet europiane. Disa prej tyre e kallëzuan penalisht, pasi pretendojnë se nuk morën pagesat për mallin që i kishin dorëzuar.

Në momentin e ngjarjes, Buzi ndodhej në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, i akuzuar për përndjekje ndaj ish-të fejuarës së tij, Rozalina Plaka.

Katër vite më parë, gjatë kohës që jetonte në Angli, 35-vjeçari kishte deklaruar se ishte marrë peng nga disa bashkatdhetarë, të cilët i kishin kërkuar një shumë të konsiderueshme parash për lirimin e tij.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se gjatë negociatave, prokurori Jorgji nuk i kishte treguar Buzit se ish-vjehrri kishte humbur jetën, por i kishte komunikuar se ai dhe bashkëshortja ndodheshin të plagosur në spital. Megjithatë, 35-vjeçari ndiqte zhvillimet përmes telefonit celular.

Siç raporton gazetari i Top Channel, Neritan Trifoni, rreth orës 15:00, Buzi ishte pranë dorëzimit, por para se të merrte vendimin u është drejtuar negociatorëve me fjalët: “Prit, të shoh lajmet”. Pasi mësoi nga mediat se ish-vjehrri kishte ndërruar jetë, ai refuzoi sërish të dorëzonte armën.

Rreth një orë më vonë 35-vjeçari qëlloi veten me armë, duke i dhënë fund jetës në sy të forcave të shumta të policisë që kishin rrethuar zonën.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit