Transmetuar më 27-07-2026, 11:53

Tiranë – Pas përfundimit të seancës plenare dhe njoftimit për zhvillimin e një tjetër seance në orën 15:00, për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huas prej 302 milionë dollarësh amerikanë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për sektorin e mbrojtjes, ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Berisha deklaroi se Partia Demokratike e mbështet marrëveshjen me SHBA-në, por nuk do ta votojë atë nëse procedura e miratimit vijon të jetë e përshpejtuar, pasi sipas tij përbën shkelje të Kushtetutës.

“Kjo është historia më e turpshme. Një vend anëtar i NATO-s vendos shtetrrethim ndaj qytetarëve si të ishte Koreja e Veriut. Qindra mjete bujqësore në të katër anët e vendit janë ndaluar në rrugë nga policia”, deklaroi Berisha.

Ai kritikoi qeverinë për mënyrën e ndjekur në Kuvend, duke pretenduar se kalimi i marrëveshjes me procedurë të përshpejtuar nuk është në përputhje me parashikimet kushtetuese.

“Kjo që ndodh brenda parlamentit është një akt i turpshëm i Edi Ramës, që kërkon të kalojë ligjin me procedurë jo-kushtetuese. Ka një përcaktim në Kushtetutë që nuk lejon kalimin me procedurë të përshpejtuar pa respektuar afatin njëjavor”, u shpreh kreu i PD-së.

Berisha tha se opozita mbetet në mbështetje të marrëveshjes së huas me Shtetet e Bashkuara, por kërkon që ajo të shqyrtohet sipas procedurave që, sipas tij, janë në përputhje me Kushtetutën.

“Ne nuk do të votojmë procedura antikushtetuese në mënyrë absolute. Ne jemi pro kredisë, por kërkojmë që kjo procedurë të bëhet në përputhje me Kushtetutën”, përfundoi Berisha.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit