Transmetuar më 27-07-2026, 11:52

Tiranë – Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar këtë të hënë, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huas ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të programit të Financimit të Jashtëm Ushtarak (FMF).

Marrëveshja, e propozuar nga qeveria, parashikon një hua në vlerën 302 milionë dollarë amerikanë, e cila do të përdoret për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

Në nisje të seancës plenare, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, njoftoi për përfshirjen e marrëveshjes në rendin e ditës për miratim me procedurë të përshpejtuar.

“Në rendin e ditës është miratimi, në parim, i marrëveshjes së huas direkte ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), në kuadër të Financimit të Jashtëm Ushtarak (FMF), me një hua në shumën totale prej 302 milionë dollarësh amerikanë”, deklaroi Peleshi.

Sipas tij, deputetët që dëshirojnë të njihen me përmbajtjen e marrëveshjes, e cila përmban elemente konfidenciale, duhet fillimisht të nënshkruajnë deklaratën përkatëse dhe më pas të kenë akses në dokumentacion.

Gjatë prezantimit të marrëveshjes në Kuvend, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e cilësoi huanë një hap të rëndësishëm për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë dhe forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Marrëveshja pritet të mbështesë investimet në pajisje dhe kapacitete të reja për Forcat e Armatosura, në kuadër të bashkëpunimit të mbrojtjes mes dy vendeve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit