

Tiranë – Është zbardhur dëshmia e Rozalinda Plakës, ish-të fejuarës së Refit Buzit, i cili pak ditë më parë vrau prindërit e saj dhe më pas e mbajti peng për disa orë, përpara se t’i jepte fund jetës.
Në rrëfimin e saj, të siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, Rozalinda ka treguar detaje për marrëdhënien me Buzin, arsyet që çuan në ndarjen e tyre dhe momentet e tmerrit gjatë ngjarjes së rëndë.
Sipas dëshmisë, lidhja mes tyre kishte nisur disa vite më parë dhe në vitin 2020 ata kishin shpallur fejesën, duke krijuar edhe marrëdhënie familjare. Megjithatë, problemet në çift e çuan Rozalindën drejt vendimit për t’u ndarë në vitin 2024.
“Lidhja jonë ka vazhduar deri në vitin 2024, kohë në të cilën unë kam kërkuar të ndahem nga ai, por Refiti nuk ka pranuar. Arsyeja ka qenë sepse ai kishte një jetë të çrregullt, nuk ishte i përqendruar te lidhja jonë, kishte qenë jashtë shtetit në burg dhe të gjitha këto nuk më përshtateshin mua”, ka deklaruar ajo.
Rozalinda ka bërë me dije se prindërit e saj kishin qenë në dijeni të problemeve në marrëdhënien e tyre dhe se nuk e kishin mbështetur këtë lidhje që në fillim.
“Këto gjëra i dinin edhe prindërit e mi, të cilët nuk kanë qenë dakord për këtë lidhje që në fillim”, është shprehur ajo.
Momentet e sulmit në banesë
Në dëshminë e saj, Rozalinda ka rrëfyer edhe momentin kur ka nisur ngjarja tragjike. Ajo ka treguar se ishte duke fjetur në dhomën e saj kur ka dëgjuar një zhurmë të fortë, të cilën e ka perceptuar si një krismë arme.
“Kam qenë duke fjetur gjumë në dhomën time, kurse prindërit e mi kanë qenë në dhomën e tyre. Kam dëgjuar zhurmë të fortë që më është dukur si krismë arme dhe kam dalë në korridor të shikoj se çfarë kishte ndodhur”, ka rrëfyer ajo.
Sipas saj, në korridor ka parë Refit Buzin me një armë të gjatë në dorë dhe babain e saj, Kosta Plakën, të shtrirë në tokë.
“Kur dola kam parë shtetasin Refit Buzi në korridor, me një armë të gjatë si ato të gjahut në dorë, si dhe kam parë babain tim Kosta Plaka të shtrirë përmbys te hyrja e dhomës, i mbuluar me gjak”, ka deklaruar Rozalinda.
Ajo ka treguar se ka tentuar t’i marrë armën autorit, por situata është përshkallëzuar.
“Unë i kam kapur armën dhe po e mbaja, por Refiti bërtiste: ‘Do t’ju vras të gjithëve’. Më shtyu dhe më qëlloi me grusht, theu derën e dhomës sime dhe aty jam plagosur me copa xhami në trup”, ka rrëfyer ajo.
Marrja peng dhe largimi nga banesa
Më tej, Rozalinda ka treguar se është marrë me forcë nga banesa dhe është larguar me të.
“Më mori me forcë e më hipi te makina. Momenti kur më mori me forcë nga shtëpia deri kur kam hipur në makinë nuk më kujtohet, sepse kam qenë shumë e tronditur”, ka thënë ajo.
Gjatë negociatave me policinë për dorëzimin e Refit Buzit, sipas dëshmisë së Rozalindës, është zbuluar edhe një tjetër detaj. Ajo ka treguar se Buzi ishte zbathur dhe gjatë komunikimit me autoritetet kishte deklaruar se këpucët ia kishte dhënë asaj.
Sipas saj, gjatë negociatave prokurori e kishte pyetur: “Vetëdorëzohu, pse je zbathur?”, ndërsa Buzi ishte përgjigjur: “I hoqa, ia dhashë… Ia dhashë asaj t’i veshë, se e mora zbathur.”
Hetimet për ngjarjen e rëndë vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve që çuan në tragjedinë me tre viktima.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






