

TIRANË – Qytetarë të mbledhur para Kuvendit të Shqipërisë kanë zhvilluar këtë të hënë protestën e 58-të radhazi, e cila përkon me zhvillimin e seancës së fundit plenare të këtij sesioni parlamentar.
Gjatë tubimit, protestuesit kanë hedhur thirrje kundër qeverisë dhe deputetëve, ndërsa kanë përsëritur disa nga sloganet e përdorura edhe në protestat e mëparshme. Mes thirrjeve të dëgjuara nga turma ishin "Parlament analfabetë", "Edi Rama o legen, gjithë Shqipëria të urren" dhe "Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve".
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara sigurie për mbarëvajtjen e protestës dhe zhvillimin normal të seancës plenare.
Perimetri i sigurisë pranë Kuvendit është përforcuar me një prezencë të shtuar të forcave policore, ku janë vendosur dy rreshta të forcave "Shqiponja" dhe një rresht i efektivëve të Forcës Kombëtare të Sigurisë (FNSH). Zona përreth Parlamentit vijon të monitorohet nga një numër i madh punonjësish policie.
Protesta po zhvillohet paralelisht me punimet e Kuvendit, ku deputetët janë mbledhur për seancën plenare të parashikuar në rendin e ditës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






