

ITALI – Andrea Pirlo ka thyer heshtjen pas polemikave që kanë shoqëruar emrin e tij në Itali, duke sqaruar se bashkëpunimi me kompaninë ruse të basteve Fonbet ka qenë ekskluzivisht i natyrës komerciale dhe sportive.
Debati u ndez pasi ish-mesfushori italian u përfshi në spekulime për shkak të rolit të tij si ambasador i Fonbet, kompani në të cilën aksionar është Sergey Lomakin, presidenti i klubit ku Pirlo aktualisht ushtron detyrën e trajnerit, United FC Dubai. Çështja ka ngjallur reagime në politikën italiane dhe, sipas mediave vendase, ka krijuar hezitime edhe në Federatën Italiane të Futbollit (FIGC) lidhur me mundësinë e emërimit të tij në krye të kombëtares.
Përmes një deklarate të publikuar në rrjetet sociale, Pirlo shprehet se ka zgjedhur të ruajë heshtjen nga respekti për institucionet, por se ndjeu nevojën të sqarojë situatën.
"Gjatë gjithë karrierës sime, fillimisht si futbollist dhe më pas si trajner, kam vepruar gjithmonë në përputhje me ligjet e vendeve ku kam punuar dhe kontratat që kam nënshkruar. Bashkëpunimi profesional që është bërë objekt polemikash lindi gjatë eksperiencës sime në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ishte ekskluzivisht i natyrës tregtare dhe sportive. T’i japësh këtij bashkëpunimi një kuptim politik do të thotë të më atribuosh bindje që nuk i kam shprehur kurrë dhe që nuk më përkasin," deklaroi Pirlo.
Ish-kampioni i botës shprehu gjithashtu keqardhje për mënyrën se si debati sportiv u shndërrua në një çështje publike me ngarkesë politike.
Pirlo falënderoi Paolo Maldinin dhe Leonardon për besimin dhe mbështetjen e treguar ndaj tij, ndërsa nënvizoi se dashuria për Italinë mbetet e pandryshuar.
"Më vjen keq që një vendim sportiv u kthye në një debat publik, duke më atribuar qëllime dhe kuptime që nuk janë të miat. Dashuria ime për Italinë nuk varet nga një post apo një rol. Ajo është pjesë e historisë dhe identitetit tim dhe do të mbetet gjithmonë e tillë," përfundoi ai.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






