

MALIQ – Banorët e fshatit Zvezdë, në Bashkinë e Maliqit, kanë dalë sërish në protestë këtë të hënë, duke kërkuar zgjidhje për mungesën e ujit të pijshëm, pavarësisht investimit të kryer për ndërtimin e ujësjellësit të ri.
Sipas protestuesve, projekti, me vlerë mbi 600 mijë euro, është përfunduar prej disa javësh, por banesat e tyre vijojnë të mos furnizohen me ujë. Ata pretendojnë se investimi nuk ka sjellë asnjë përmirësim në jetën e përditshme të komunitetit dhe kërkojnë transparencë, si edhe mbajtjen e përgjegjësive nga institucionet përkatëse.
Banorët shprehen se prej dekadash janë detyruar të sigurojnë ujin nga burimet natyrore të fshatit, ndërsa mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm ka krijuar vështirësi të vazhdueshme. Sipas tyre, shpeshherë banorët detyrohen të presin gjatë natës për të mbushur ujë, situatë që ka sjellë edhe tensione mes familjeve.
Protestuesit akuzojnë institucionet për vonesa në zbatimin e projektit dhe kërkojnë që investimi të vihet në funksion sa më parë, duke garantuar furnizim të rregullt me ujë për të gjithë fshatin.
Nga ana tjetër, drejtues të Ujësjellës Kanalizimeve Korçë kanë deklaruar se projekti ndodhet ende në fazën e zbatimit dhe nuk ka përfunduar plotësisht. Sipas tyre, pas përmbylljes së punimeve dhe vënies në funksion të sistemit, banorët e Zvezdës do të furnizohen me ujë të pijshëm.
Në fshatin Zvezdë jetojnë mbi 1,500 banorë, të cilët prej vitesh përballen me mungesën e ujit në banesat e tyre.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






