

TIRANË – Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot, më 27 korrik 2026, seancën plenare të radhës, ku në rendin e ditës është parashikuar miratimi i ndryshimeve në përbërjen e komisioneve të përhershme parlamentare.
Seanca, e cila nis në orën 10:00, vjen pas tensioneve të forta që shoqëruan mbledhjen e kaluar plenare. Debatet mes opozitës dhe mazhorancës shpërthyen pasi kërkesa e Partisë Demokratike për zgjatjen e mandatit të komisionit të posaçëm për reformën territoriale u rrëzua me votat e shumicës socialiste.
Përplasjet vijuan edhe gjatë prezantimit të raportit të mazhorancës, kur deputetë të opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit, duke penguar vijimin normal të seancës dhe detyruar ndërprerjen e saj disa herë.
Ndërkohë, paralelisht me zhvillimin e seancës plenare, jashtë ambienteve të Kuvendit është paralajmëruar një protestë qytetare. Edhe javën e kaluar para Parlamentit u zhvillua një protestë, gjatë së cilës pati përplasje mes demonstruesve dhe forcave të policisë.
Rendi i ditës i seancës plenare
Në rendin e ditës janë parashikuar:
Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 23 korrik 2026; Njoftime; Shqyrtimi i projektvendimit "Për një ndryshim në vendimin nr. 87/2026, ‘Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit’, i ndryshuar."
Shërbimet e Kuvendit janë ngarkuar me publikimin e rendit të ditës, njoftimin elektronik të deputetëve dhe përgatitjen e dokumentacionit që do të shqyrtohet gjatë seancës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






