

TIRANË – Shqipëria renditet ndër vendet me barrën më të lartë shëndetësore nga ndotja e ajrit në Europë. Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat për vitin 2023, vendi regjistron 129 vdekje të parakohshme për çdo 100 mijë banorë si pasojë e ekspozimit ndaj grimcave të imëta PM2.5, duke u renditur i katërti në kontinent.
Më shumë vdekje të lidhura me ndotjen e ajrit raportohen vetëm në Maqedoninë e Veriut (146 për 100 mijë banorë), Bosnjë dhe Hercegovinë (139) dhe Serbi (132). Norma e Shqipërisë është mbi tre herë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, e cila për vitin 2023 ishte 41 vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë.
Grimcat PM2.5 janë ndotës me diametër më të vogël se 2.5 mikrometra, të cilët depërtojnë thellë në mushkëri dhe lidhen me rritjen e rrezikut për sëmundje kardiovaskulare, respiratore dhe vdekje të parakohshme. Vlerësimet e Eurostat bazohen në metodologjinë e Agjencisë Europiane të Mjedisit.
Sipas raportit, burimet kryesore të ndotjes janë djegia e lëndëve të ngurta për ngrohjen e banesave, aktivitetet industriale, transporti rrugor, cilësia e dobët e karburanteve, automjetet e vjetra dhe djegia e mbetjeve. Faktorët gjeografikë ndikojnë gjithashtu në përqendrimin e ndotësve në atmosferë.
Ballkani, rajoni më i prekur
Të dhënat evidentojnë se vendet e Ballkanit vijojnë të përballen me nivelet më të larta të vdekshmërisë nga ndotja e ajrit. Pas Shqipërisë renditet Kosova me 121 vdekje për 100 mijë banorë, ndërsa Mali i Zi regjistron 89, Bullgaria 104, Greqia 98, Kroacia 75 dhe Rumania 74.
Në kontrast të fortë, vendet nordike paraqesin nivelet më të ulëta. Finlanda regjistron vetëm një vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë, Suedia dy, Estonia tre, Norvegjia katër, ndërsa Islanda nuk regjistron asnjë rast sipas këtij treguesi.
Maqedonia e Veriut kryeson renditjen
Maqedonia e Veriut mbetet vendi me nivelin më të lartë të vdekjeve të lidhura me ndotjen e ajrit në Europë. Sipas OECD-së, përqendrimi mesatar vjetor i grimcave PM2.5 në këtë vend ishte 22.3 mikrogramë për metër kub në vitin 2021, më shumë se katër herë mbi kufirin e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Ekspertët e lidhin situatën me përdorimin e linjitit për prodhimin e energjisë, industrinë, automjetet e amortizuara, djegien e mbetjeve dhe ngrohjen e banesave gjatë sezonit të dimrit.
Përmirësim në BE, por diferenca të mëdha mes vendeve
Në nivel europian, numri i vdekjeve të parakohshme nga ndotja e ajrit ka shënuar rënie të ndjeshme gjatë dy dekadave të fundit. Nga rreth 423,600 raste në vitin 2005, numri ka zbritur në rreth 182,400 në vitin 2023, duke e çuar Bashkimin Europian nën objektivin e vendosur për vitin 2030.
Megjithatë, Eurostat vlerëson se pabarazitë mbeten të theksuara, me vendet e Europës Juglindore dhe Lindore që vazhdojnë të përballen me një barrë shumë më të rëndë shëndetësore krahasuar me vendet e Europës Veriore dhe Perëndimore.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






